Shënohet Dita e Shkollës në SHMK“Drita”, një festë plot dritë, kujtime dhe krenari!
Me rastin e Ditës së Shkollës, SHMK “Drita” në Kërçovë organizoi një ceremoni solemne, e cila këtë vit kishte një domethënie të veçantë: shënoi 35-vjetorin e themelimit të shkollës së pavarur “Drita”, emër që trashëgoi shkolla e mesme. Një përvjetor që flet për rrugëtimin e gjatë, sfidat e kapërcyera dhe sukseset e arritura ndër vite.
Në ngjarje ishin të pranishëm ish-të punësuarit e shkollës, përfaqësues të institucioneve, profesorë dhe nxënës, të cilët së bashku ndanë kujtime, mirënjohje dhe krenari për rrugën e përshkuar.
Të pranishmëve iu drejtua me fjalim drejtoresha e shkollës, znj. Syarta Spahiu, e cila u shpreh mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që me përkushtim kanë kontribuuar në ngritjen dhe afirmimin e shkollës sonë ndër vite. Ajo theksoi rëndësinë e arsimit cilësor, të vlerave njerëzore dhe të bashkëpunimit midis nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve, duke i inkurajuar nxënësit që të vazhdojnë me përkushtim e ambicie rrugën e dijes.
Një moment të veçantë të ceremonisë përbënte shpërblimi i dy profesorëve pensionistë, prof. Ismet Fejza dhe prof. Zufer Rrushaj, nga ana e Sindikatës. Ky vlerësim iu dha si shenjë mirënjohjeje për vitet e gjata të punës, përkushtimin dhe kontributin e çmuar në edukimin dhe formimin e brezave të nxënësve. Të pranishmit i përshëndetën me duartrokitje të zjarrta.
Pas pjesës solemne, auditorin e kënaqën me një program festiv të organizuar nga vetë nxënësit e shkollës, të cilët me talentin, krijimtarinë dhe entuziazmin e tyre e bënë këtë ditë edhe më të veçantë dhe të paharrueshme. Ky program dëshmoi se shkolla jonë vazhdon të rrisë brezat e rinj me vlera, kulturë dhe dashuri për dijen.
Një falënderim të veçantë meritojnë ish-të punësuarit dhe përfaqësuesit e institucioneve, që me praninë dhe mbështetjen e tyre dëshmojnë se shkolla jonë është një shtyllë e rëndësishme e komunitetit.
Dita e Shkollës është rast për të kujtuar të kaluarën, për të vlerësuar të tashmen dhe për të ndërtuar së bashku të ardhmen.
Gëzuar Ditën e Shkollës dhe 35-vjetorin e themelimit!🎉
Le të vazhdojmë të ndriçojmë rrugën e dijes, ashtu siç na thotë edhe emri i shkollës sonë – Drita.





