Nxënësit e SHMK “Drita” Kërçovë ju prezantojnë aktivitetin e radhës që ka të bëjë me dhunën në familje.
Ka disa forma të ndryshme dhune në familje, dhe një person mund të jetë subjekt i më shumë se një forme. Ato janë:
Abuzimi fizik. Përfshin përdorimin e forcës fizike në mënyrë të atillë që lëndon dikë ose e vë atë person në rrezik lëndimi, duke përfshirë: rrahje, goditje, shkundje, shtyrje, mbytje, kafshime, djegie, shkelmime, ose sulme me armë. Forma të tjera të abuzimit fizik mund të përfshijnë izolim ose çdo përdorim tjetër të rrezikshëm apo të dëmshëm force ose shtrëngimi.
Abuzimi emocional. Nënvlerësimi në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme i vlerave dhe cilësive njerëzore të viktimës, kriticizmi dhe poshtërimi i veprimeve të kryera prej saj.
Abuzimi psikologjik. Trembja, kërcënimi dhe krijimi i një situate frikësuese për viktimën, nëpërmjet veprimeve që e ndalojnë të kryejë takime pa leje apo moslejimi i daljes jashtë vendbanimit pa lejen e personit që ushtron këtë abuzim.
Abuzimi ekonomik ose financiar. Mosdhënia e parave që janë të domosdoshme për të siguruar ushqim apo trajtim mjekësor, shfrytëzimi i një personi për përfitim financiar, mohimi i aksesit për burime financiare, ose pengimi i një partneri që të punojë.
Ligji mbron një person mbi të cilin është ushtruar dhunë, e cila ndodh midis tij dhe personave që janë ose kanë qenë në lidhje familjare me të. Mbron gjithashtu pjesëtarët e tjerë të familjes së këtij personi ose të afërmit e tjerë të tij, kur ata vetë bëhen viktima të dhunës në familje.
Videoja e prezantuar shtjellon pikërisht një dhunë familjare.